Secondary Adv

Aksioni për sigurinë ushqimore, 17 ton mallra të bllokuara gjatë muajit gusht, 112 gjoba

Aksioni i tatimorëve për formalizimin e tregtimit të produkteve bujqësore dhe rritjen e sigurisë ushqimore ka vijuar edhe gjatë muajit gusht.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se për muajin gusht janë monitoruar 10 tregje dhe 59 subjekte janë kontrolluar.

 

Në total janë 17 ton mallra pa faturë tatimore të identifikuara dhe janë vendosur 112 masa administrative.

 

“Gjatë muajit gusht janë zhvilluar kontrolle dhe monitorime të vazhdueshme në tregjet e produkteve bujqësore dhe blegtorale në të gjitha qarqet e vendit, me qëllim garantimin në çdo produkt të shoqërohet me faturë tatimore dhe të sigurohet transparencë për konsumatorin”.

 

Administrata tatimore fton bizneset e përfshira në zinxhirin ushqimor të zbatojnë ligjin duke dokumentuar çdo transaksion me faturë tatimore për të shmangur masat administrative.

 

Aksioni për formalizimin e tregjeve të mallrave bujqësore nisi në mesin e muajin korrik. Në ditët e para aksioni i tatimorëve u fokusua në tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore dhe blegtorale, baxhot dhe thertoret në Tiranë.

 

Në fazën e dytë, sipas drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përveç Tiranës dhe zonave përreth saj, aksioni do të fokusohej edhe në rrethe, ku fokusi do të jenë tregjet e mëdha, baxhot e grumbullit të qumështit dhe thertoret e kafshëve.

 

Në fazën e tretë, administrata tatimore parashikon që aksioni të shtrihet te pikat e grumbullimit dhe përpunimit të mallrave blegtorale.

 

Administrata Tatimore theksoi më herët se fokusi i aksionit është forcimi i kontrollit në terren mbi lëshimin e autofaturës për tregtimin e produkteve blegtorale, te tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore, thertoret, baxhot dhe më pas grumbulluesit dhe përpunuesit e mëdhenj.

 

Tatimet pohuan më herët se tregtarët e vegjël dhe ambulantët nuk janë në fokus të aksionit. Aksioni i ndërmarrë nga tatimet synojnë të rrisin të ardhurat, dhe të forcojnë sistemin për gjurmueshmërinë e mallit. /Monitor(https://monitor.al/aksioni-per-tregjet-bujqesore-tatimet-ne-gusht-17-tone-mall-pa-fature-dhe-112-masa-administrative/)


Më të lexuarat